23.4.09

Nivica, tension të dielën e Pashkëve

Shteti rrezikon të çojë konfliktin drejt një drejtimi që vështirë se mund të kontrollohet. Kisha e Kakomesë do të jetë e hapur për Pashkët, teksa banorët kanë frikën se do të bllokohen nga policia. Mesazhi i Kumit për Berishën. Një pushtim i një vendi të shenjtë nga një bandë kusarësh. Me këto fjalë, përfaqësuesi i banorëve të fshatit Nivicë, Vladimir Kumi, i është drejtuar në mesazhin e vet Kryeministrit Sali Berisha. Duke kërkuar lejimin e ceremonisë së Pashkëve në Kishën e Kakomesë, ai ka nënvizuar se bllokimi policor i një rituali të tillë do të sillte pasoja të paparashikueshme. Më poshtë, “Libertas” jep të plotë mesazhin drejtuar Berishës. “Z. Kryeministër! Komuniteti i Nivicës, në pritje të Pashkëve në mënyrën më të pamerituar, është privuar dhimbshëm nga kënaqësia dhe e drejta e këtij rituali qindravjeçar që mbahet në Manastirin e Kakomesë. Është në nderin tuaj që, sado me vonesë të shporrni prej vendit tonë të shenjtë bandën e kusarëve që e ka pushtuar. Mos vazhdoni ta zhgënjeni komunitetin tim. Me dhimbje, kryetari i Komunës Lukovë, Vladimir Kumi”. Pashkët e së dielës provokojnë tensione në Nivicë. Policia mund të bllokojë festimet në Kishën e Kakomesë. Kreu i Komunës Lukovë: “Nëse banorët pengohen, gjendja mund të degjenerojë”.

Konflikti i Kakomesë fiton një dimension të ri. Shurdhëria e qeverisë për t’i dhënë zgjidhje kërkesave të komunitetit, apo për të menaxhuar zyrtarisht pakënaqësinë e tyre që po përballet me masat policore, po provokon edhe një tension emocional, që rrezikon shkarjen drejt konfrontimit. Afrimi i festës së Pashkëve po e gjen ndërtimin e fshatit të ri turistik të Kakomesë të rrethuar nga një situatë që mund të marrë ngjyrime të tjera. Përfaqësuesi i komunitetit të Nivicës dhe njëkohësisht kryetar i Komunës Lukovë, Vladimir Kumi, ka deklaruar dje, për “Libertas”, se synimi ende i pashprehur për të penguar banorët të festojnë Pashkën në Kishën e Kakomesë bart brenda vetes farën e konfrontimit fizik. “Të dielën do të mbahet ceremonia e pashkëve në Kishën e Kakomesë. Nuk ka asgjë të organizuar, por nuk përjashtohet fakti që, nëse banorët do të pengohen për të marrë pjesë, gjendja të degjenerojë”, tha Kumi. I shqetësuar nga kjo situatë, ai ka bërë të ditur se i ka nisur një mesazh Kryeministrit, ku kërkohet ndërhyrja për zgjidhjen e këtij problemi në mënyrë që situata me komunitetin të mos degjenerojë deri në konfrontime. Apeli publik i kryetarit të Komunës Lukovë është dëshmi e situatës së ndezur në Nivicë, e cila, me sa duket, po mbahet nën kontroll përmes pranisë policore. Theksimi i pelegrinazhit tradicional drejt kishës, e cila gjendet brenda murit turistik, përveçse është një taktikë shumë sensibilizuese, flet për krizën e marrëdhënieve mes banorëve dhe shtetit. Implikime të kësaj natyre që e vendosin Tiranën zyrtare në një situatë të sikletshme e bëjnë edhe më të perceptueshëm nervozizmin që dominon komunitetin. Por, ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se në këtë histori që vijon prej vitesh, qeveria duket se nuk ka ndërmend të lëshojë pe për ndërtimin e fshatit turistik, një vepër e cila edhe përmes fjalëve të një përfaqësuesi të pushtetit, siç është Kumi, konsiderohet pushtim.

Konflikti i Nivicës i përfshin të gjithë. Konflikti i Kakomesë, i nisur që në kohën kur Kryeministër ishte socialisti Fatos Nano, ka implikuar së fundmi nj sërë aktorësh politikë me peshë. Përveç Kryeministrit, i cili ka preferuar heshtjen si qëndrim, ka qenë një angazhim personal i Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që ka “shkundur” politikën nga anashkalimi i kësaj çështjeje. Por ndërhyrjet e Tiranës që, sipas ecurisë së deritanishme vetëm sa kanë acaruar situatën, janë pasur edhe nga vëmendja e tërthortë e Athinës, e cila nuk ka munguar që të prononcohet për sa i përket situatës së pronave në bregdetin shqiptar. Përveç ministres së Jashtme, Dora Bakojanis, ka qenë edhe zëvendësi i saj, Varvitsiotis, ai që ka deklaruar një qëndrim thuajse të hapur pro banorëve të Bregdetit në drejtim të së drejtës së pronësisë.