1.8.10

Mrekullia e “Shpellës” së Lukovës


Ndodh edhe kështu: Pasi ke shkelur brigjet e vendit fqinj dhe ke shijuar plazhet e ishujve të Jonit e të Egjeut, gjer në bregdetin turk, duke e nisur “lundrimin” nga Korfuzi e duke vazhduar në Qefalonja, Paros, Speces, Samos, Kos, duke pirë pastaj kafenë turke në Bodrumin e Kasadasë, “magjia” fshihet për më në fund: kur rikthehesh në Itakën tënde dhe strukesh në “Shpellën” e Lukovës, në plazhin më të virgjër të botës. Po ta soditësh nga deti, nuk është më tepër se një “patkua” kali, i ngecur në rrëzë të gurëve. Po ta bredhësh me këmbë, gjer tek ullinjtë e Shpellës së Kaçakëve të dikurshëm, edhe pse nuk të duhen më shumë se pesëmbëdhjetë minuta, ngjan sikur është pa anë e pa fund. E, megjithatë, ky plazh i vogël të befason ne transparencën e ujit e të ajrit, me atë “qetësi biblike”, me rërën e imët dhe të pastër. Lë pastaj trampolinat fizike shkëmbore...Më parë, banorët e Lukovës zbrisnin gjer këtu nëpërmjet monopatesh, midis shkurreve e sqindeve shekullore. Kurse çobanëria strehonte bagëtitë në shpellën e vjetër, gjatë piskut të vapës. “Kjo shpellë, - më tregon Janaq Kërkeshi, nga Shën Vasili, - i ka dhënë emrin tërë vendit, qyshkur është krijuar Bota. Këtu strehohej një kaçak i famshëm, Stefan Vlashi, që i gëzohej lirisë së tij dhe u thërriste bagëtive, si të ishin njerëz. Këtu strehoheshim edhe ne, kur hidheshin bomba nga ana e detit. As që ia merrte mendja kujt, se shteti do të hapte gjer këtu një rrugë të asfaltuar e do të mbushej vendi me makina, me plazhistë dhe me ca ndërtime provizore, për pushuesit”.Me mua është edhe poeti Koço Kosta (Mërtiri), nga Lukova, nip i Petro Markos, nga ana e nënës, që ka shkruar bukur librin “Bari i shtëpisë sime”. Duket si i zalisur, se sapo ka arritur nga Athina, pas një udhëtimi të lodhshëm nate. Por këtu befas rigjallërohet, duke hypur e zbritur gurët qiklopikë e guvat e nxirra prej zjarreve. Me atë nishan karakteristik në ballë, më afron imazhin e Polifemit. Mirëpo, poeti “zhytet” dhe harrohet poshtë degëve të ullinjve dhe bëhet i trishtuar. “E shikon si është zhuritur dhe plasaritur toka? - më pyet Koçoja. - Nuk ngopet me ujë! Prandaj sillnin këtu, gjatë diktaturës, ata që nuk shiheshin me sy të mirë. Prodhonin perime, me 50 lekë të vjetra dita e punës”.Disa kablle, që na ngatërrohen nëpër këmbë, në këtë ditë të nxehtë fundkorriku, si edhe zërat që na vijnë nga anëdeti, na ndërpresin kujtimet e së kaluarës. Përballë nesh, me listela druri, është ngritur një lokal, i mbuluar me fier të thatë e kashtë, prej nga gjëmon zhurma e gjeneratorit. Lokali është modest, por i këndshëm. Ngjan si një akuarel buzë detit. Edhe pronari i tij, Nikolin Gjosasi, një burrë 40 vjeçar, që ka punuar 20 vjet në Korfuz e në Athinë, i ka sytë të kaltër, si t’ia ketë marrë hua detit. Ai ka mbaruar dikur Akademinë e Arteve, në kufirin midis dy sistemeve, por nuk pati kurrfarë kohe të merrej me muzikë, ngaqë merrej me shitjen e krahëve, në dhe të huaj. “E mora vetë këtë iniciativë, për të bërë diçka në afërsi të pronës sime, duke shfrytëzuar hapësirën publike dhe, pse jo, dëshiroj të jem nga investitorët e parë të këtij vendi të virgjër, bashkë me familjarët e mi. Energjia elektrike mungon këtu, por unë kam blerë një gjenerator të fuqishëm. Ujin e marr nga Gurra e Lukovës, me një tubacion prej 3.500 metrash. Është një ëndërr e vjetër e imja, - përfundon me pasion Nikolini, - që të bëj diçka të bukur dhe të vlefshme për vendin tim, për “Itakën” time. Sepse, të gjithë kemi nga një “Itakë” brenda nesh... Apo jo, profesor?” Ndërkohë, sytë e tij prej deti, bëhen akoma dhe më të kaltër... Mbushen me dritë dhe optimizëm.Ecim rrëzë “patkoit” prej rëre të imët dhe, pas 18 lokalesh të tilla, çuditërisht të mbushura me plazhistë, qëndrojmë tek lokali i “Pendës”, i ndërtuar i tëri mbi disa shkëmbinj të buzëdetit, me binarë drurësh të pastazhionuar. “Penda” është pseudonimi i emigrantit lukoviot Kristo Nasi, por “arkitekti” i vërtetë i lokalit “Avanti” është i biri i tij, Ervini 30 vjeçar, plot fantazi, i cili edhe në Greqi ka qenë një artist i drurit. Ky konstruksion druri, i mbuluar po me kashtë, i ngjan njërës prej atyre anijeve të hershme, me të cilat Odiseja zbriti në vendlindjen e vetë, pas një udhëtimi të mundimshëm njëzet vjeçar. Ervini, ky djalë i heshtur, me një profil të dukshëm prej artisti, të cilit i mungon vetëm mjekra për t’iu përngjasuar heroit të Homerit, thotë se me këtë “Bar-Bufe”, tip “PAB”-i, nuk i bën dëm askujt, nuk iu bie në qafë të tjerëve dhe se dëshiron, që gjithçka që ka fituar në emigracion, gjatë njëzet viteve, ai dhe familja e tij, t’i vërë në dispozicion të këtij investimi fillestar... “Në dashtë Zoti, pastaj le të fuqizohet!”, përfundon ky djalosh i talentuar, brenda të cilit shikoja të flakëronte një zjarr i brendshëm.
Magjia e shpellës do të mbaronte aty ku poeti më tërheq nga dora, në skajin fundor, mbi një shkëmb gjigand, të mënjanuar, që bashkon ujin me bregun. Më kujtohen, ndërkohë, fjalët e Vladimir Kumit, kryetarit të Komunës së Lukovës, ndofta një nga të vetmit pushtetarë vendorë, që ka një imazh të qartë për zhvillimin perspektiv të kulturës, artit, sportit dhe turizmit, përpos problemeve e konflikteve, që ziejnë në këtë zonë: “Mbi atë shkëmb të ngulur mbi det ka pozuar Miss Albania. Atje, së shpejti, do të pozojë edhe Miss Globi!” E vazhdon bisedën Koço poeti: “... Mirëpo, tani aty ka hipur “Polifemi” i Lukovës, që thotë se ky shkëmb, tok me brezin e gjelbër të ullinjve, është pronë e familjes së tij. Unë nuk kam kaq para, sa “t’i hedh në erë”, për të bërë diçka edhe unë... Më mjafton poezia, hë për hë... Dhe magjia e detit. Plus: magjia e plazhit tonë të porsaçvirgjëruar...”.Ndërkohë, ai, poeti Koço Kosta (Mërtiri), kthehet i tëri nga ana e detit, duke kuvenduar me të:
“Ma more shikimin,
ma more shpirtin,
mi more të gjitha,
ti, det.
Në vdeksha,
dërgomë një tufë pulëbardhash
mbi varr,
të shkundin mbi mua stërkalat,
të shkundin kaltërsi,
se ndoshta,
do të ngjallem përsëri”.
WRITTEN BY MIHO GJINI* FRIDAY, 06 AUGUST 2010 00:19

9.7.10

Sarandë, ngrihet shtabi i menaxhimit për sezonin veror


SARANDË- Mbarëvajtja e sezonit turistik dhe krijimi i një shtabi lokal për mbarëvajtjen ishte në qendër të takimit të organizuar sot në nënprefekturën e Sarandës.
Nënprefekti i Sarandës, Gjergji Mano tha se synojmë në periudhën e verës bashkërendimin e punës së institucioneve për mbarëvajtjen e sezonit, ndërsa barra kryesore bie më njësitë vendore të Bashkisë së Sarandës dhe komunave të Lukovës dhe Ksamilit

Funksionimi i rojeve bregdetare për sigurimin e jetës së pushuesve nëpër plazhe duhet të nisë urgjenisht, tha Mano. "Edhe pse nga Bashkia e Sarandës janë dhënë rreth 7.8 milionë lekë për rojet bregdetare, ende nuk ka nisur së funksionuari, pasi duhen ngritur kullat", pohoi ai.
Ilir Gjoçi, shefi i Policisë Kufitare në Sarandë, kërkoi që autoritetet vendore të përcaktojnë vijën kufizuese nga 100 - 300 m linear për funksionimin e motorëve të ujit. "Pa u përcaktuar kufizimi i territorit në det nuk do të lejohet dalja e jetskive", tha ai, duke shtuar se në qytezën e Ksamilit është ngritur një patrullë policie për të ndjekur normalitetin e funksionimit të motorrëve të ujit.

Kryebashkiaku i Sarandës, Edmond Gjoka kërkoi bashkëpunim me Policinë e Shtetit që pushuesit në ndihen të sigurtë. Për shmangien e ndotjes akustike, Besim Palamani, shef i Komisariatit të Sarandës, kërkoi bashkërendim të punës me bashkinë e komunat, Ksamil e Lukovë për të përcaktuar një limit kohor për lokalet që përdorin muzikë.
Ndërsa Jorgo Mërtiri, shefi i Higjenës kërkoi përcaktimin e pikave të grumbullimit të plehrave për tërheqjen e tyre në qytet edhe në komuna.
(e.n/ata/BalkanWeb)