19.6.09

Club Med terhiqet nga projekti per kompleks turistik ne Kakome

Tërheqja. Letra drejtuar fshatarëve: Nuk kemi projekt në Kakome e as projekt me “Riviera”. “Club Med” largohet nga Shqipëria, arsyeja: Problemet me pronat. ”Club Med”, përmes një letre publike, ka bërë të ditur largimin e saj nga projekti për një fshat turistik në bregdetin e Jonit, pas një mosmarrëveshje të zgjatur në lidhje me pronësinë e territorit, ku ai parashikohej të ngrihej. “Debati dhe polemikat 5-vjeçare rreth përkatësisë së vërtetë të kësaj pronësie, kanë paraqitur konfuzionin e vërtetë që ekziston rreth titullit të pronës në Shqipërinë paskomuniste, duke përbërë një problem të vërtetë për investimet”, thuhet në artikullin përkatës të agjencisë Reuters mbi një fakt të tillë. Duke shtuar në lidhje me këtë koncept, se tërheqja e “Club Med”, përbën një goditje të vërtetë për investimet e huaja në Shqipëri. “Nuk ka asnjë projekt për një “Club Med” në Shqipëri”, citohet të jetë shprehur Florence Le Gall, drejtor i zhvillimit rajonal të “Club Mediterranee”, në letrën që u ka shkruar fshatarëve vendas që pretendojnë pronësinë e tokës në Kakome të Sarandës dhe vetë Chrystel Baude, një zëdhënëse e “Club Med” ka konfirmuar origjinalitetin e kësaj letre. “Projekti është ndalur për pjesën tonë për shkak të çështjeve që ende nuk kanë zgjidhur dhe ajo e përkatësisë së pronës është njëra prej tyre”, shtohet më tej në letrën e paraqitur prej “Club Med”. Ndër të tjera, në këtë letër thuhet se “Club Med” nuk ka më asnjë marrëveshje me firmën “Riviera”, madje duke iu lutur banorëve që të mos përfshihen në listime e-mailesh për projekte që nuk ekzistojnë më. Kjo letër ka mbërritur pak më parë se Gjykata e Apelit të merrte një vendim, i cili mohonte pronësinë e fshatarëve të zonës për territorin e Kakomesë, ku pretendohej të realizohej projekti i madh i një fshati turistik. Nga ana e saj, në artikullin e botuar në agjencinë “Reuters” thuhet se kompania shqiptare “Riviera” deklaron se toka në fjalë është pronë publike dhe se ka një kontratë qiraje 99-vjeçare me shtetin. Ky fakt ka përligjur edhe rezistencën që ajo vazhdimisht u ka bërë protestave të fshatarëve të zonës, duke tentuar të vazhdojë punimet në kuadrin e këtij projekti.


5.6.09

Shen Vasili dhe Riviera e lukoves

SHEN VASIL -Një rrap në qendër dhe një "vend i mirë" ku mund të ndezësh qirinj për të vdekurit dhe të gjallët, e dallojnë fshatin Shën Vasil të Komunës së Lukovës, nga të gjithë fshatrat e tjerë të rrugës së rivierës, dikur degëzim i rrugës "Egnatia", e cila lidhte Romën e lashtë me Ilirinë e jugut ose Epirin, dhe tokat helene. Kambanat e një kishe në majën e kodrinës në të djathtë të rrugës, të cilat tunden nga dy plaka të veshura me të zeza, janë thirrja e vetë fshatit, sikur të donte të tregonte historinë e tij të djegur dy herë. Nga Ali Pasha i Janinës, në vitin 1798 dhe nga komunistët, në vitin 1970. Inati i komunistëve duket të ketë qenë më i madh se i Ali Pashës, pasi për më shumë se 30 vjet ata i ndryshuan emrin, duke e quajtur fshati Përparim. Minella Gjoni, mësuesi i fshatit tregon se ka shkruar 2 libra rreth historisë së vendlindjes së tij, madje tradita është transmetuar edhe tek e bija, e cila ka botuar një tjetër libër për mitet e zonës, të përbashkëtat dhe ndryshimet me mitet e vendeve fqinje. "Ky rrapi këtu po i afrohet moshës 200-vjeçare. Është e vetmja dëshmi e gjallë e jetesës dhe historisë në fshatin Shën Vasil. Historia e emrit lidhet me atë kodrën atje lart", - të thotë Minella, duke treguar nga një kishë e vogël që nga ndërtimi duket se është e viteve të postkomunizmit. Mësuesi tregon se ka gjurmë dhe dëshmi të jetesës në këtë fshat qysh në shekullin e II-të, ndërsa nga hulumtimet e kryera në arkivat e ish-Perandorisë osmane, në shekullin e XIV fshati banohej nga banorë me mbiemra katolikë. "Kjo tregon dhe origjinën e banorëve, të cilët mendohet se janë shqiptarë autoktonë katolikë", - tregon mësuesi duke vijuar se në shekullin e XVI-XVII, kalimi nën Perandorinë bizantine solli asimilimin e banorëve në fenë e perandorisë ortodokse. "Ishte kjo feja e banorëve të Nivicës, Shën Vasilit e Himarës, në kohën kur Ali Pasha synonte konvertimin e tyre në myslimanë, pasi vetëm kështu mund të ishin më të bindur ndaj Portës së Lartë, së cilës i shërbente me devotshmëri në atë kohë", - vazhdon rrëfimin e tij mësuesi. "Ali Pasha tregoi dinakërinë e tij, kur në ditën e Pashkës së Madhe të vitit 1998, hyri nga shpella, vendi ku ndodhet sot plazhi me të njëjtin emër, dhe dogji e shkatërroi fshatin. Ali Pasha dogji edhe manastirin në majë të kodrinës, i cili i kishte dhënë emrin fshatit. Me gurët e manastirit, Ali Pasha ndërtoi një kala të njëjtë me atë të Lëkursit në Sarandë, madje dy kalatë kishin pamje nga njëra-tjetra", - tregon me pasion mësuesi, duke shtuar se banorët që shpëtuan, u dërguan si skllevër në tokat e Ali Pashës në Greqi, ku shumica vdiqën nga malaria dhe sëmundje të tjera. "Zoti deshi që një pjesë e banorëve të ktheheshin sërish në fshat, dhe punën e parë që bënë, ngarkuan një grua të mbillte një rrap i cili sinjalizonte rilindjen. Rrapi është edhe sot, dhe është tregues i shpresës se edhe pas shkatërrimit ka ende jetë. Por sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, në vitin 1970 dikujt iu mbush mendja se me gurët e kalasë që ekzistonte ende, mund të bënte një shkollë 8-vjeçare. Dhe kështu ndodhi, ish-gurët e manastirit me të cilët ishte ndërtuar kalaja, u spostuan dhe me ta ndërtuan shkollën që ekziston sot, por që mori në muret e saj krejt historinë e fshatit...", - përfundon tregimin e tij mësuesi.
Komuna e Lukovës
Pakkush e di që plazhet e shtatë nga 9 fshatrat e Lukovës përfshijnë gati 60 për qind të vijës bregdetare të Jonit. Përfshirja konsiston në 154 km në vijë lineare me plazhe të ndryshme; nga ato të hapura, masivet, shkëmboret e deri tek më ekzotiket, shumica ende të pashkelura nga turistët. Pamja e mrekullueshme që të shfaqet sapo ke kaluar Shen Vasilin në rrugën e Rivierës, tregon se sapo je afruar në plazhin e shpelles, në një nga plazhet më të bukura të zonës. Nga rruga mund të shikosh apo të zgjedhësh rrugicat gjarpërushe që të çojnë në plazhin e Bunecit, plazhin e Shpellës, Plakoto, Krorëz, ku ndodhet dhe Manastiri i Shën Mërisë, pjesë e Triadës së Shën Mërisë, plazhi Heremet, si dhe plazhi i Kakomesë. Muaji maj është fillimi i "pranverës" për këtë zonë. Të rinjtë kthehen nga Greqia ku punojnë në stinët e tjera të vitit, ndërsa kanë filluar të mbërrijnë pushuesit e parë. Por, historia është vetëm A-ja e asaj që ofron kjo zonë. Pamja që ofrohet është përrallore, saqë thua se ia vlen "të hash" gjithë atë pluhur që ngrihet nga rruga në proces ndërtimi. Ujërat e kristalta përplasen në pasqyrë me vargmale të formave dhe llojeve nga më të ndryshmet, duke gërshetuar klimën e turizmit malor me plazhet ranore, zallore dhe shkëmbore. Një panoramë e tillë mbetet oferta më e mirë që bëhet nga banorët e rivierës, edhe pse duket se ata vetë kanë filluar të bëjnë përpjekjet e para për një turizëm bashkëkohor. Trokitjet e çekiçëve dëgjohen thuajse nga të gjitha lokalet dhe hotelet e zonës së plazhit, por edhe në banesat që do të hapen për pushuesit. Të zotët janë duke u dhënë dorën e fundit restaurimeve, të cilat duket se nuk kanë ndonjë ndryshim të madh me vitin e kaluar.
Gazeta shqiptare