19.6.09

Club Med terhiqet nga projekti per kompleks turistik ne Kakome

Tërheqja. Letra drejtuar fshatarëve: Nuk kemi projekt në Kakome e as projekt me “Riviera”. “Club Med” largohet nga Shqipëria, arsyeja: Problemet me pronat. ”Club Med”, përmes një letre publike, ka bërë të ditur largimin e saj nga projekti për një fshat turistik në bregdetin e Jonit, pas një mosmarrëveshje të zgjatur në lidhje me pronësinë e territorit, ku ai parashikohej të ngrihej. “Debati dhe polemikat 5-vjeçare rreth përkatësisë së vërtetë të kësaj pronësie, kanë paraqitur konfuzionin e vërtetë që ekziston rreth titullit të pronës në Shqipërinë paskomuniste, duke përbërë një problem të vërtetë për investimet”, thuhet në artikullin përkatës të agjencisë Reuters mbi një fakt të tillë. Duke shtuar në lidhje me këtë koncept, se tërheqja e “Club Med”, përbën një goditje të vërtetë për investimet e huaja në Shqipëri. “Nuk ka asnjë projekt për një “Club Med” në Shqipëri”, citohet të jetë shprehur Florence Le Gall, drejtor i zhvillimit rajonal të “Club Mediterranee”, në letrën që u ka shkruar fshatarëve vendas që pretendojnë pronësinë e tokës në Kakome të Sarandës dhe vetë Chrystel Baude, një zëdhënëse e “Club Med” ka konfirmuar origjinalitetin e kësaj letre. “Projekti është ndalur për pjesën tonë për shkak të çështjeve që ende nuk kanë zgjidhur dhe ajo e përkatësisë së pronës është njëra prej tyre”, shtohet më tej në letrën e paraqitur prej “Club Med”. Ndër të tjera, në këtë letër thuhet se “Club Med” nuk ka më asnjë marrëveshje me firmën “Riviera”, madje duke iu lutur banorëve që të mos përfshihen në listime e-mailesh për projekte që nuk ekzistojnë më. Kjo letër ka mbërritur pak më parë se Gjykata e Apelit të merrte një vendim, i cili mohonte pronësinë e fshatarëve të zonës për territorin e Kakomesë, ku pretendohej të realizohej projekti i madh i një fshati turistik. Nga ana e saj, në artikullin e botuar në agjencinë “Reuters” thuhet se kompania shqiptare “Riviera” deklaron se toka në fjalë është pronë publike dhe se ka një kontratë qiraje 99-vjeçare me shtetin. Ky fakt ka përligjur edhe rezistencën që ajo vazhdimisht u ka bërë protestave të fshatarëve të zonës, duke tentuar të vazhdojë punimet në kuadrin e këtij projekti.


No comments: