8.11.09

Shën Vasil, 30 raste tokë si jo banues


Plot 30 familje në fshatin e Shën Vasilit, i cili përfshihet në Komunën e Lukovës, kanë përfituar me mijëra hektarë tokë bujqësore, pa figuruar me pasaportizim brenda tij në vitin 1991, kohë kur edhe ka nisur zbatimi i procesit të ndarjes së tokës bujqësore. Nuk janë pak, por bëhet fjalë për plot 112.630 m2 të ndara në këtë fshat, për 30 familje që nuk figuronin me gjendje civile brenda tij. Një fakt i tillë konfirmohet në projektraportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, “Për kontrollin e ushtruar në Komunën e Lukovës në Sarandë” për vitin e kaluar, i cili paraqet të gjitha shkeljet flagrante të bëra me procesin e ndarjes së tokës bujqësore në këtë komunë, përfshirë në rastin konkret edhe fshatin Shën Vasil. “Libertas” vijon sot pikërisht me publikimin e abuzimeve të bëra në këtë fshat, në vazhdën e atyre që ka bërë në numrat e kaluar për fshatin e Borshit dhe atë të Piqerrasit, të cilat gjithashtu përfshihen në këtë komunë. Konkretisht, raporti në fjalë i KLSH-së merr në analizë faktin se si këto familje kanë arritur të përfitojnë me mijëra hektarë tokë edhe pa figuruar në gjendjen civile, që regjistron banorët e vërtetë të këtij fshati. “Gjatë kontrollit të kryer për zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë në procesin e ndarjes së tokave bujqësore, duke verifikuar dokumentacionin u konstatuan shkelje të dispozitave ligjore, me pasojë dhënien e 112.360 m2 tokë bujqësore në ndërmarrjen bujqësore të Shën Vasilit, në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 244 të datës 02.08.1991, “Për kriteret e ndarjes së tokës bujqësore”, i ndryshuar si edhe VKM, Nr. 452, e datës 17.10.1992, “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore” i ndryshuar”, citon raporti në fjalë. Duke treguar konkretisht se dhënia e tokës bujqësore me pronësi 112.630 m2 për këto 30 familje të listuara, kur nuk e kanë pasur pasaportizimin e tyre më datë 1 gusht 1991 në Shën Vasil, bie ndesh me ligjet. “Për fshatin Shën Vasil, aktet e marrjes së tokës në pronësi janë të firmosura nga Napoloen Vogli, me detyrë ish-përgjegjës i kadastrës së rrethit, nga vetë ish-pronarët, si edhe Thanas Dajko, si kryeplak”, - citon më tej raporti, duke treguar edhe emrat e personave, të cilët kanë bërë që të kalojë një gjë e tillë. Duke cituar më pas edhe emrat konkretë të këtyre familjeve dhe sipërfaqet konkrete me hektarë toke bujqësore, që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme. Në këtë listë janë përfshirë edhe 3 familje, të cilat në datën 1 gusht 1991, me ndryshimet deri në tetor 1992, nuk e kanë pasur gjendjen civile fare në këtë komunë, siç është rasti i Arqile Lepurit, Llambi Gjikulit dhe Kalo Spirit
GAZETA LIBERTAS...

No comments: