9.1.09

Policia aksion në Kakome, arreston 15 vetë, i hapet rruga ndërtimit të fshatit turistik


Sarandë-Një operacion blic, koordinuar mes policisë së Sarandës, Vlorës dhe forcave speciale ardhur nga Tirana kanë ndërhyrë me shpejtësi për të liruar rrugën në kryqëzimin e Kakomesë. Operacioni largoi banorët  e “ngujuar”, të cilët prej më shumë se një muaj kishin ngritur postbllok për të mos lejuar firmën “Riviera” të niste punimet për ndërtimin e fshatit turistik, në Gjirin e Kakomesë. Fshatarët e Nivicës, që pretendojnë se tokat në të cilën është projektuar për tu ndërtuar fshati turistik kanë refuzuar të nënshkruajnë marrëveshjet me firmën ndërtuese.


Të “ngujuarit” në disa ndërtesa të braktisura, ku sistemoheshin gjatë netëve të acarta me të moshuarit dhe në disa çadra të amortizuara me mjete rrethanore e plastmasë më të rinjtë, kaluan ditë të vështira në roje të kryqëzimit. Zjarret dhe fryma e protestës i mbajtën ata jo vetëm të bashkuar, por edhe të gatshëm për të përballuar çdo vështirësi . Aty, ata kaluan festën e Çlirimit, të Pavarësisë, Krishtlindjeve dhe Vitin e Ri 2009.

 

Kjo zgjati deri më 9 janar. Ndërhyrja e policisë i prishi kasollet prej plastmasi, i detyroi  niviciotët gjer në ato  çaste të pa epur të merrnin në krahë shtroja e mbulojat dhe tu drejtoheshin banesave të tyre në fshatin Nivicë. Policia ishte e përgatitur me skafanda e shkopinj gome, por nuk lindi nevoja për ti përdorur, pasi 15 prej protestuesve, ata më të “fortët” u shoqëruan në komisariat, mes tyre edhe  kryeplaku Klement Baxheri, ndërsa të tjerët u shpërndanë nëpër shtëpi pa rezistencë. .Lista e të shoqëruarve deri në mesditën e të premtes është kryesisht me emra të rinjsh, si Kico Cari, Ivan Cari, Thoma Cari, Sevo Papadhima, Klement Papadhima, Gaqe Strati, Mentor Spiri, Stefan Papagjika, Ermal Papagjika, Ermir Gjoni, Odise Dukshi, Lulëzim Tabaku, Dhimo Gjoni, Andi  Foti dhe Oltin Papagjika.

 

Plot 30 forca policie u angazhuan në këtë operacion. Në tërësi të veprimit operativ policor binte në sy prezenca e autoblindave dhe ambulancave me targa policie, gjë që flet  për vendosmërinë e përmbushjes së objektivit nga policia. Forcat policore e boshatisën rrugën e bllokuar, duke lejuar mjetet e firmës për të kaluar drejt gjirit të Kakomesë.

Menjëherë nisi ngritja e kantierit të ndërtimit.

 

Kakomeja është si në shtetrrethim. Postblloqet e policisë janë vendosur në të dy anët e kthesës së Kakomesë, në hyrje dhe dalje, në distancën prej rreth 1 km në çdo anë. Qarkullimi në rrugën nacionale vazhdon normalisht pa pengesa, por nuk lejohet vetë lëvizja e turmës dhe individëve drejt Gjirit të Kakomesë, ku kanë nisur punimet e firmës. Këtij rregulli  nuk i shpëtum as ne. Na u desh të kthehemi nga tentativa për të ndjekur fillimin e punimeve për shkak se policia pretendonte se ishin duke zhvilluar operacionin dhe nuk lejohej hyrja në këtë zonë.

 

Në bazë të vendimit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave nivicionët nuk kanë toka në pronësi. Ndërsa këta banorë pretendojnë të kundërtën. Leja e ndërtimit për firmën franceze “Club Med” është dhënë në vitin 2002, ajo ka nënkontraktuar firmën shqiptare “Riviera” për kryerjen e punimeve.

 

 

Kakomeja është një nga perlat e natyrës shqiptare, det dhe mal pranë, ndarë nga një luginë e bukur dhe mbi të gjitha zonë e pashfrytëzuar deri tani. Fshati turistik është planifikuar të jetë buzë detit, ndërkohë që lidhjet janë parashikuar të kryhen nëpërmjet ishullit grek të Korfuzit. Sipërfaqja ku mendohet të ndërtohet fshati turistik është 70 mijë metra katrorë. Projekti parashikon ndërtimin e shtëpive me gurë, duke ndërthurur traditën vendase me kërkesat për një turizëm elitar.

No comments: