27.2.09

Premtim farsë për zonat turistike

Nga Eglantina Nasi - Komiteti i Kthimit të Pronave ka deklaruar se sipërfaqja e lirë e shfrytzueshme në këto zona është vetëm 2596 ha.Premtim farsë për zonat turistike, tokat s’mjaftojnë. Pretendimi i pronarëve për kompensim, mbi 100 mijë ha. Ata s’i pranojnë tokat e pafrytshme në bregdet. Në zonat turistike nuk ka aq troje të lira për kompensim fizik, me sa qeveria pretendon të kompensojë ish-pronarët. Shifrat ekzistuese rreth tyre, duket se nuk përmbushin premtimin e fundit të Kryeministrit Berisha se me trojet publike në zonat turistike do të realizohet kompensimi fizik i kësaj kategorie. Ai tha se do ndërmerret një aksion për identifikimin e këtyre trojeve, në një kohë kur Komiteti i Kthimit të Pronave ka deklaruar një shifër të përafërt të tyre që para 4 vjetësh. Sipas këtyre të dhënave përcaktohet se në zonat turistike janë të lira vetëm 2596 ha tokë e lirë e frytshme, kur pretendimet e ish-pronarëve për kompensim janë deklaruar mbi 100 mijë ha, çka flet për pamundësinë e realizimit të këtij procesi siç premton qeveria. Në fakt, në raportin e atëhershëm të Komitetit përmendej edhe shifra prej 3300 ha tokë e pafrytshme në zonat turistike, apo 71787 ha pyje, por ish-pronarët janë deklaruar kundër pranimit të kompensimit me anë të tyre. Ata kanë pohuar qartë se duan të kompensohen fizikisht vetëm me toka të frytshme, çka rrëzon mundësinë e qeverisë për t’ua dhënë atyre këto mijëra hektarë në zona turistike. Në total, Komiteti i Pronave ka deklaruar shifrën prej 134 mijë ha tokë të lirë në të gjithë vendin, e vlefshme për kompensim, por edhe me këtë shifër, ish-pronarët nuk kanë rënë dakord, duke thënë se ajo nuk mjafton, po të mendosh se shumë hektarë brenda saj janë të pafrytshme. “Territoret që do të përdoren për kompensim janë bregu i Adriatikut, një pjesë e bregut jonian dhe dy liqenet, ai i Shkodrës e Pogradecit”, ka deklaruar Kryeministri para dy ditësh. Por, duke iu referuar konkretisht të dhënave të Komitetit të Pronave për tokat e lira në secilin prej tyre, ato rezultojnë me shifra të vogla dhe të pamjaftueshme për kompensimin, që pretendohet të realizohet, për shembull Saranda ka 932 ha, kurse Qarku i Vlorës ka në dispozicion vetëm1162 ha. Këto shifra, nëse do të niste vërtet procesi i kompensimit fizik të ish-pronarëve, siç pretendon qeveria, sa do t’i fusnin në sherr ata me njëri-tjetrin se kush do t’i përfitonte i pari dhe do të nxisnin klientelizmin dhe korrupsionin mbi marrjen me çdo kusht të tyre.

Statistika: Toka e lirë në zonat turistike:  Saranda, 932 ha Vlora, 230 ha Lezha, 45 ha Kurbini, 45 ha Pogradeci, 45 ha

Lushnja, 866 ha Fieri, 348 ha ———– Gjithsej = 2569 ha

Sa kanë përfituar pronarët deri tani?

Nga kooperativat, 440778 ha Sektori shtetëror, 117932 ha ——————– Gjithsej = 558710 ha

Pretendojnë ende, 120000 ha

MBU: Ne merremi vetëm me llogaritjen e tokës bujqësore. Ministria e Bujqësisë, si përfaqësuese e qeverisë, nuk disponon ndonjë të dhënë konkrete mbi trojet e lira publike që mund të jenë në zonën e bregdetit, të cilat më pas mund të përdoren për kompensim fizik, ashtu siç pretendon Kryeministri. Burime zyrtare të saj deklarojnë se ky dikaster është kompetent vetëm për llogaritjen e tokës së lirë bujqësore, kudo ajo ndodhet. Ndërkaq, ai që nuk kuptohet qartë është fakti se si do të bëhen menjëherë gati aktet nënligjore për kompensimin e pronarëve me troje publike në bregdet, siç tha Kryeministri, në një kohë kur nuk ka përfunduar llogaritja e saktë e tyre. “Studimi ka avancuar shumë dhe po shkon drejt finalizimit. Është e domosdoshme që javën e ardhshme të vijnë në qeveri aktet nënligjore të procedurës së këtij procesi”, ka deklaruar kreu i qeverisë. Ky fakt krijon mundësinë që vendi të ketë gati ligjin për kompensimin e pronarëve me troje në zonat turistike, por të mos i ketë në dispozicion konkret ato.

Ekspertët dhe pronarët kundër premtimeve për fshatin: “Premtimet e PS mbi Ligjin 7501, për fushatë”. Ekspertët e pronave dhe ish-pronarët e cilësojnë veçse një fushatë për qëllime elektorale atë që Partia Socialiste ka ndërmarrë kohët e fundit mes deklaratave për zbatimin rigoroz të Ligjit 7501 në fshat. Në Agjencinë e Kthimit të Pronave, të thonë se ky proces është ezauruar tërësisht këto 20 vite dhe fermerët tashmë ndihen pronarë të tokës që punojnë. Ndërsa mbi premtimin e kryesocialistit Rama ndaj fermerëve se do t’u japë certifikatën e pronësisë së tokës, ekspertët pohojnë se kjo është një gjë që ata e fitojnë edhe vetë pa ndërmjetësinë e tij. Pasi në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme i jepet kujtdo që disponon një truall një e tillë, nëse paraqet kërkesën përkatëse. Të njëjtën gjë pohon edhe vetë kreu i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Reshit Vorpsi. Sipas tij, certifikatat e pronësisë merren nga ata, të cilëve shteti, sipas Ligjit 7501, u dha tokë në vitin 1991 dhe premtimet e Ramës në këtë rast nuk mund të merren veçse si propagandë për fushatë elektorale para kategorisë së fermerëve. Vorpsi pohon se i takon vetëm parlamentit që të realizojë ndryshimet në ligjin e pronës, nëse pretendohet të ketë të tilla.

No comments: